Rizvanolli: Ky do të jetë viti më i vështirë në sektorin e energjisë
Foto: Laura Hasani

Rizvanolli: Ky do të jetë viti më i vështirë në sektorin e energjisë

Ekonomia April 21, 2026 - 20:33

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka paralajmëruar se ky do të jetë viti më i vështirë për sektorin e energjisë elektrike, për shkak të investimeve të mëdha dhe sfidave të trashëguara në sistem.

Në fund të seancës për çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët, ajo ka thënë se periudha aktuale përbën sfidë për disa arsye.

“Ka qenë një periudhë e vështirë e sektorit të energjisë dhe kjo për shumë arsye, si ndërkombëtare, si të trashëgimisë si të sfidave ndërkombëtare”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ajo ka shtuar se janë duke u bërë investime të mëdha në sistem, të cilat do të ndikojnë përkohësisht në furnizim.

“Kemi bërë më të mirën e mundshme brenda kësaj periudhe dhe ky sigurisht se do të jetë një vit sfidues për sistemin duke qenë se janë duke u bërë investime të mëdha për çfarë blloqet do të jenë jashtë funksionit për kohë të caktuara për t’i realizuar këto investime. Mirepo e mira e kësaj është që ky do të jetë viti më i keq që do ta përjetojmë ndonjëherë dhe çdo vit pas këtij viti do të jetë më i mirë dhe furnizimi me energji elektrike do të jetë më i mirë”, është shprehur ajo.