FEMSH-i kërkon ndërhyrje urgjente nga qeveritë për krizën e çmimeve
Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar (FEMSH) ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga qeveritë në rajon për përballimin e krizës së çmimeve dhe presioneve në rritje mbi ekonominë.
Sipas reagimit të publikuar, rritja e çmimeve të karburanteve po ndikon drejtpërdrejt në kostot e bizneseve, fuqinë blerëse dhe konkurrueshmërinë në treg.
“Rritja e çmimeve të karburanteve po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostove të bizneseve, uljen e fuqisë blerëse dhe dobësimin e konkurrueshmërisë, duke rrezikuar investimet dhe vendet e punës”, thuhet në reagim.
FEMSH, i udhëhequr nga Besim Beqaj, ka kërkuar masa konkrete dhe të menjëhershme nga institucionet shtetërore, përfshirë lehtësime fiskale, transparencë në formimin e çmimeve dhe forcim të kontrollit të tregut.
Në kërkesat e forumit përfshihen edhe masa mbështetëse për sektorët më të prekur si transporti, bujqësia dhe industria, si dhe strategji afatgjata për siguri energjetike.
“Biznesi nuk mund të përballojë i vetëm këtë situatë dhe çdo vonesë në vendimmarrje rrit koston për ekonominë dhe qytetarët”, ka deklaruar Beqaj.
Ai ka theksuar se nevojiten masa të shpejta dhe të koordinuara për të shmangur përshkallëzimin e krizës ekonomike.
FEMSH është pozicionuar si partner i rëndësishëm i qeverive në hartimin e politikave ekonomike, duke kërkuar bashkëpunim më të ngushtë për stabilitet ekonomik dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajon.