DHTIK-u dhe BQK-ja diskutojnë për sfidat e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik

DHTIK-u dhe BQK-ja diskutojnë për sfidat e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik

Ekonomia May 04, 2026 - 18:02

Drejtuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) janë pritur në takim nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, me të cilin kanë diskutuar për një sërë çështjesh që preokupojnë bizneset dhe ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi dhe Kushtrim Ahmeti, gjatë takimit kanë theksuar sfidat kryesore të bizneseve në qasjen në financa dhe problematikat në sektorin e sigurimeve, përfshirë Kartonin e Gjelbër.

Ata kanë shprehur shqetësimin se paqëndrueshmëria politike dhe shkuarja në zgjedhje, sipas tyre, po ndikon negativisht në ekonomi, duke lënë të bllokuara ligje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, përfshirë SEPA-n.

Nga ana tjetër, Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ka falënderuar përfaqësuesit e DHTIK-së për takimin dhe për ndarjen e informatave mbi sfidat që bizneset po hasin në sektorin financiar.

Ismaili ka bërë të ditur se BQK-ja është duke u angazhuar në një numër reformash dhe aktivitetesh, të cilat pritet të sjellin përfitime për ekonominë dhe komunitetin e biznesit në përgjithësi.

Në fund, të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet tyre, institucioneve financiare dhe komunitetit të biznesit, me qëllim të adresimit të sfidave aktuale dhe gjetjes së zgjidhjeve konkrete.