Shmanget shtrenjtimi i rrymës
Foto: Laura Hasani

Shmanget shtrenjtimi i rrymës

Ekonomia May 05, 2026 - 12:24

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka aprovuar të hyrat maksimale të lejuara për operatorët energjetikë në vend, duke përfshirë KOSTT-in, KEDS-in dhe KESCO-n.

Sipas vendimit, të hyrat maksimale për KOSTT-in për vitin 2026 janë 76 milionë e 444 mijë euro, ndërkaq për KEDS-in janë aprovuar 185 milionë e 960 mijë euro, që është rreth 21 për qind më e ulët krahasuar me vlerën e kërkuar nga vetë kompania.

ZRRE-ja ka bërë të ditur se në këtë përllogaritje janë marrë parasysh edhe devijimet e kostove nga vitet e kaluara.

Për kompaninë KESCO, të hyrat maksimale të aprovuara arrijnë në 442 milionë e 228 mijë euro.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka thënë se lejimi i këtyre të hyrave nuk do të ndikojë në rritjen e faturave të energjisë për qytetarët.

Ai shtoi se gjatë javës pritet të merret edhe vendimi për tarifat e energjisë elektrike, i cili do të përcaktojë më saktë çmimet për konsumatorët.

Fejzullahu, po ashtu, ka bërë të ditur se 28 prilli Zyra e Rregullatorit të Energjisë është anëtarësuar me të drejta të plotë në Shoqatën e Rregullatorëve me seli në Budapest.

Ai, ka thënë se përpjekjet e tyre kanë qenë të shumta pasi që një gjë të tillë nuk e ka lejuar Serbia.

“Pas 20 viteve përpjekje jemi anëtarësuar në Shoqatën e Rregullatorëve me seli në Budapest, ku pesë kontinente janë anëtar të kësaj shoqate ku është platformë më e mirë edhe më e madhe për çështje të rregullimit në Evropë, por mundem me thënë edhe në botë meqenëse edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë anëtare, Kanadaja, duke përfshirë edhe anëtar të tjerë. ZRRE-ja ka pasur përpjekje deri tash, për shkak se Serbia nuk e ka lejuar të bëhemi anëtar me të drejta të plota. Që nga data 28 prill jemi anëtar me të drejta të plota në këtë shoqatë ku janë të anëtarësuar mbi 40 shtete”, ka thënë ai. /eo