Deri në 3.000 euro në vit, Komuna e Prishtinës nxjerr në konsultim publik tarifat e reja për biznese
Komuna e Prishtinës ka nxjerrë në konsultim publik draftrregulloren për tarifat komunale, e cila parasheh vendosjen e tarifave të reja për një numër të konsiderueshëm kategorish biznesore që operojnë në kryeqytet.
Sipas dokumentit të publikuar për diskutim publik, në listën e aktiviteteve që do t’i nënshtroheshin tarifave përfshihen kategori të ndryshme biznesesh, duke filluar nga ndërtimtaria, tregtia, transporti, shërbimet profesionale, arsimi privat, shëndetësia private e deri te aktivitetet sportive dhe rekreative.
Tarifat do të variojnë nga 100 euro deri në 3.000 euro në vit, varësisht nga lloji i veprimtarisë që ushtrohet.
Në mesin e kategorive me tarifat më të larta janë aktivitetet e spitaleve private dhe aktivitetet e mjekësisë së specializuar private, për të cilat propozohet tarifë prej 3.000 eurosh në vit. Po aq do të paguanin edhe aktivitetet e mirëmbajtjes trupore.

Ndërkaq, aktivitetet e dentistrisë parashihet të tarifohen me 2,000 euro, po aq sa edhe qendrat e thirrjeve (Call Center) dhe arsimi i lartë privat.
Për institucionet private të arsimit të përgjithshëm dhe të mesëm teknik e profesional propozohet tarifë prej 1,500 eurosh në vit, ndërsa arsimi fillor privat 1,000 euro.
Draft-rregullorja përfshin edhe profesione të lira dhe shërbime profesionale. Aktivitetet juridike të avokatëve dhe noterëve parashihet të tarifohen me nga 1,000 euro, ndërmjetësuesit juridikë me 700 euro, ndërsa aktivitetet e kontabilitetit, librëmbajtjes, auditimit dhe arkitekturës me nga 500 euro.


Në sektorin e sportit dhe estetikës, klubet sportive do të paguanin 300 euro, palestrat e fitnesit 500 euro, ndërsa sallonet e floktarisë dhe trajtimet e tjera të bukurisë 1,000 euro në vit.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, ka deklaruar për Telegrafin se dokumenti është zyrtar, por ende nuk është finalizuar.
“Krejt zyrtare janë dokumentet. Janë kategori të reja të bizneseve që do të taksohen në varësi të ndikimeve në bashkëjetesën qytetare. Rregullorja është në konsultim publik. Jemi në pritje të argumentimeve për të vazhduar më tej me finalizim të rregullores”, ka thënë Braha.
Sipas tij, dokumenti aktualisht ndodhet në proces konsultimi publik dhe mund të pësojë ndryshime para miratimit përfundimtar.
Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se konsultimet publike për draftrregulloren janë të hapura deri më 24 qershor, periudhë gjatë së cilës palët e interesuara mund të paraqesin vërejtjet dhe propozimet e tyre.
Pas përfundimit të konsultimeve, komentet e pranuara do të shqyrtohen para se draftrregullorja të procedohet për miratim.
Dokumentin e plotë të kësaj draftrregulloreje mund ta gjeni KËTU.