Dhoma e Tregtisë kundërshton draftrregulloren e Prishtinës për tarifat komunale: Rrit barrën për bizneset
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me Draftrregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale të Kryeqytetit, duke vlerësuar se disa nga dispozitat e saj mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në klimën e të bërit biznes, konkurrueshmërinë dhe investimet në Prishtinë.
Sipas DHTIK-së, çdo ndryshim fiskal duhet të mbështetet në parimet e proporcionalitetit, sigurisë juridike dhe konsultimit të mirëfilltë me komunitetin e biznesit, duke shtuar se në këtë rast Komuna e Prishtinës nuk ka zhvilluar një proces të tillë konsultues.
Dhoma e Tregtisë vlerëson se draftrregullorja parasheh rritje të konsiderueshme të tarifave për disa veprimtari, pa u shoqëruar me ndonjë arsyetim ekonomik apo analizë të ndikimit.
Sipas saj, tarifat e propozuara do të krijojnë barrë shtesë financiare, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
“Për shembull, një furrë buke, kafene apo dyqan i vogël që tashmë përballet me rritje të kostove të energjisë, qirasë dhe pagave, do ta ketë edhe më të vështirë të operojë nëse kjo rregullore hyn në fuqi”, thuhet në reagim.
DHTIK-ja gjithashtu kundërshton tarifimin e secilës njësi biznesore veçmas, duke vlerësuar se kjo do të dekurajojë zgjerimin e bizneseve, do të rrisë kostot operative dhe do të ndikojë negativisht në aktivitetin ekonomik.
Sipas Dhomës së Tregtisë, politikat fiskale, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, duhet të synojnë krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për investime, zhvillimin e bizneseve dhe hapjen e vendeve të reja të punës, e jo rritjen e barrës administrative dhe financiare.
Në reagim thuhet gjithashtu se propozimi i Komunës së Prishtinës për rikthimin e taksave të biznesit bie ndesh me arkitekturën fiskale të ndërtuar ndërmjet viteve 2008-2012 me mbështetjen e Bankës Botërore dhe USAID-it, e cila kishte për qëllim krijimin e një sistemi të thjeshtë, transparent dhe konkurrues të taksimit, përmes eliminimit të taksave komunale mbi bizneset dhe uljes së barrës administrative.
Sipas DHTIK-së, modeli fiskal i ndërtuar pas vitit 2008 ka qenë një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të Prishtinës, forcimin e bizneseve dhe rritjen e investimeve.
Në fund, Dhoma e Tregtisë i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që, para miratimit përfundimtar të draftrregullores, të organizojë konsultime të zgjeruara me komunitetin e biznesit për të gjetur zgjidhje të balancuara që mbrojnë interesin publik pa cenuar zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e sektorit privat. /Zëri