Qytetarët kërkojnë të konsumohen prodhimet vendore
Foto: Laura Hasani

Qytetarët kërkojnë të konsumohen prodhimet vendore

Ekonomia July 08, 2026 - 08:19

Qytetarët janë shprehur të kënaqur me prodhimet vendore, duke i vlerësuar ato dhe duke treguar se i konsumojnë çdo ditë. Ata kanë kërkuar që produktet që janë të Serbisë të mos konsumohen fare.

Reshat Salihu, njëri prej tyre, deklaroi se produktet vendore janë më të mira për konsum sesa ato të importuara.

“Produktet vendore normal që i konsumoj se ato janë më efektive, më të mira. Jo me marrë ne produkte që vijnë, ato kush e di kur janë prodhuar. Kështu që produktet vendore po, zakonisht të mira janë. Krejt janë bio sipas mendimit tim”, tha ai.

Sa i përket cilësisë, ai u shpreh se produktet duhen të inspektohen edhe pse nga pamja duken në rregull.

“Po cilësinë e tyre, kështu kur t’i marrim ne ato duken të mira, po ato duhet me i vlerësuar inspektorati. Ju po e dini çfarë po ndodhë. Ti po e sheh rastin e fundit, po dyshohet për këtë kompaninë që u bë aktiv. Ndoshta është shpifje për kompaninë, s’di unë, po duhet me pasë kontroll. Sidomos verës, se këtu, tash koha bën të veten. Vera, zhegu, nxehja, tepër i prishin këto. Duhet me i shikuar. Duhet me i menaxhuar këto. Duhet me shkuar nëpër këto markete, sidomos të mëdha, ku ka aty skadim. Veç e heqin etiketën, e ngjesin etiketën e re, kështu që inspektoriati duhet sa më shumë të punojë, sidomos kohën e sezonit veror se njerëzit helmohen, tani pasojat. Kështu që, duhet inspektorati me qenë aktiv gjatë”, tha ai për Ekonominë Online.

Salihu po ashtu tha se është mirë që produktet ushqimore të kontrollohen, pasi sëmundjet kancerogjene janë shtuar kohëve të fundit.

“Institucionet duhet me u marrë me këto. Qytetarët i vlerësojnë për shembull, dikush s’ka mundësi me blerë më ekstra, shkon i blen këto më të dobëta. Kështu që mirë është me i menaxhuar, prapë po them. Po po i përkrahin. Në disa aspekte përkrahen nga vetë shteti, edhe qysh t’i konvenon. Në qoftë se e ka atë që i thonë jaran, e lejon atë, e këta të mirin e anashkalon. Kështu që duhet me qenë realë të gjithë. Veç të kemi produkt, mos të kemi pasoja se këtu ju po i shihni këto sëmundje kancerogjene. Janë shtuar sëmundjet. Ju po i shihni mjekët në onkologji çfarë po lajmërojnë. Alarmante është situata. Kështu që këto vijnë pasojat prej keqmenaxhimit, sidomos gjërave ushqimore. Ushqimoret duhet me qenë rreptësisht nën kontroll”, tha ai.

Ndërsa qytetari tjetër Kastriot Abazi theksoi se është i kënaqur me produktet vendore, por se ka ende vend për përmirësime.

“Produktet vendore i konsumojmë për çdo ditë pothuajse, rregullisht. Jemi të kënaqur, po ka vend për përmirësime ende. Po produktet e qumështit, bylmetit, në përgjithësi”, tha ai.

Ai tha se cilësia e produkteve duhet të rritet, e njëkohësisht edhe mbështetja ndaj tyre.

“Duhet me u marrë ende, duhet me pasë mbështetje prej institucioneve edhe prej qytetarëve, po duhet edhe të ngritet në të njëjtën kohë edhe cilësia e produkteve”, u shpreh ai.

E qytetarja Fatmire Morina bëri thirrje që askush të mos konsumojë produktet e importuara nga Serbia.

“Unë kodin 860, që është produkt i Serbisë, nuk e konsumoj kurrë, as nuk e shti në shtëpi. Edhe në qoftë se dhuratë më vjen nga dikush, unë e gjuaj në shportë të bërllokut. Arsyeja pse? Sepse është linjë e veçantë që Serbia prodhon për Kosovën edhe janë produkte të helmuara. Edhe absolutisht nuk ia kisha preferuar askujt që të konsumojë produkte të Serbisë. S’kemi nevojë. Ashtu ashtu e dimë që ajo çdo mjet e përdor për ta helmuar popullin shqiptar. A i blen Serbia produktet tona? Kurrë. Andaj, edhe ne duhet me qenë reciprokë”, tha ajo për Ekonominë Online.

Ajo gjithashtu tha se shpeshherë ka tentuar të ndalojë konsumatorët e tjerë nga blerja e produkteve serbe.

“Më vjen shumë keq, kam hasur shumë herë në konsumatorë që e kanë mbushur plot shportën artikuj ushqimorë edhe kurrë s’ia kanë shikuar kodin, prodhime të kujt janë. Kam shkuar edhe ja kam marrë, i kam treguar, këto, këto që je duke i blerë janë të Serbisë edhe janë të helmuara. Ndash bleje e ndash mos e blej. Por, secili ka mentalitetin e vet edhe s’jemi bash aq shqiptarë të fortë. Kur ajo nuk t’i blen produktet tua, pse ne me ia blerë produktet e Serbisë? Çka na duhen?”, shtoi ajo.