Bletarët ngjiten në bjeshkë për më shumë mjaltë dhe cilësi

Bletarët ngjiten në bjeshkë për më shumë mjaltë dhe cilësi

Ekonomia July 30, 2026 - 08:34

Temperaturat e larta dhe mungesa e kullosave në zonat e ulëta po i detyrojnë gjithnjë e më shumë bletarët t`i zhvendosin kosheret në bjeshkë gjatë muajve të verës. Përveç kushteve më të favorshme klimatike, larmia e bimësisë dhe burimet e pasura ujore ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e prodhimtarisë dhe cilësisë së mjaltit. Megjithatë, sfidat nuk mungojnë, pasi dëmtimet nga kafshët e egra dhe rreziku i përhapjes së sëmundjeve mbeten shqetësime të vazhdueshme për bletarët.

Rexhep Iberdemaj, para se të pensionohej nga Shërbimi Policor i Kosovës, kishte nisur mbarështimin e bletëve. Sot ai e ushtron këtë veprimtari në fshatin Llugë të Istogut, ku deri më 20 qershor realizoi vjeljen e parë të mjaltit nga bagremi.

Pas përfundimit të kësaj faze dhe gjatë gjithë muajit korrik, ai i zhvendos bletët në bjeshkët e familjes në fshatin Pleqë të Isniqit, ku pret rendimente dukshëm më të larta.

"Vjelja në Llugë të Istogut nuk ishte e keqe, por prodhimi nuk arriti nivele të larta," thotë Iberdemaj.

Ai qëndron në bjeshkë për më shumë se një muaj, duke shfrytëzuar kushtet ideale që ofron kjo zonë për zhvillimin e bletëve.

"Llojshmëria e madhe e bimëve dhe drunjve, temperaturat më të freskëta dhe burimet e shumta të ujit ndikojnë drejtpërdrejt në sasinë dhe cilësinë e mjaltit", thotë ai në RTK.

Sipas tij, një tjetër përparësi e bjeshkëve është se bletët preken shumë më pak nga sëmundjet për shkak të lartësisë mbidetare.

Megjithatë, sfidat nuk mungojnë.

"Problemi kryesor janë kafshët e egra, sidomos ariu, por kemi gjetur mënyra për t'i mbrojtur kosheret."

Iberdemaj pret që nga një koshere në bjeshkë të sigurojë rreth 20 kilogramë mjaltë, më shumë se dyfishi i prodhimit që arrin në zonën e Istogut.

"Shitjen e kam të garantuar. Madje kërkesa është më e madhe sesa prodhimi që arrij të siguroj. Edhe çmimi i mjaltit është i kënaqshëm", thotë ai për emisionin “Toka” në RTK.

Ai e konsideron bletarinë një veprimtari fitimprurëse dhe një mbështetje të mirë financiare për periudhën e pensionimit, ndërsa subvencionet i vlerëson si të dobishme për zhvillimin e sektorit.

Në anën tjetër, poshtë fshatit Pleqë, në vendin e njohur si Livadhi i Lojzave, pranë gështenjave të Isniqit, bletari Daut Cacaj ka vendosur kosheret e tij për të shfrytëzuar kullosat e kësaj zone.

Tradita e bletarisë në familjen e tij është e hershme.

"Bletët i kam trashëguar nga të parët, ndërsa personalisht merrem me këtë veprimtari që nga viti 1988", thotë ai për emisionin “Toka” në RTK.

Sot ai mbarështon rreth 40 koshere.

Sipas Cacajt, vendosja e bletëve pranë gështenjave ka shumë përparësi, pasi kullosat janë pranë, por edhe një rrezik të shtuar.

"Numri i madh i bletëve që sillen në këtë lokacion rrit mundësinë e bartjes së sëmundjeve", shprehet Cacaj.

Ai thekson se zhvendosja e bletëve nga zonat e ulëta në ato malore tashmë është bërë e domosdoshme për shkak të temperaturave të larta të verës.

"Këtë vit nuk arrita të vjel sasi të konsiderueshme mjalti në viset e ulëta, ndërsa pritjet nuk janë shumë optimiste as te kullosat e gështenjës", thotë Cacaj.

Megjithatë, sikurse Iberdemaj, edhe Cacaj nuk ka vështirësi në tregtimin e mjaltit.

"Shitja nuk është problem dhe çmimi është i mirë", thotë ai.

Edhe ai shprehet i kënaqur me mbështetjen që ofrohet përmes subvencioneve për bletarinë.

Ky sezon po dëshmon edhe një herë se bjeshkët mbeten shpëtimi i bletarëve gjatë verës, duke ofruar kushte më të mira për prodhim, cilësi dhe shëndetin e bletëve, në një kohë kur ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithnjë e më shumë në këtë sektor.