Shitja e thëngjillit, KEK-u sqaron kontratën: S’është koncesion
Foto: Laura Hasani

Shitja e thëngjillit, KEK-u sqaron kontratën: S’është koncesion

Ekonomia August 20, 2026 - 13:29

Korporata Energjetike e Kosovës ka reaguar ndaj kritikave të shumta që ka nxitur një kontratë e re për shitjen e thëngjillit në Maqedoninë e Veriut.

Kjo korporatë deklarimet kundër kësaj kontrate me JSC ESM i ka cilësuar si të pabazuara.

“KEK-u nuk mban përgjegjësi për formulimet apo interpretimet e publikuara nga palë të tjera. Për KEK-un, referencë zyrtare dhe juridikisht e vlefshme është kontrata. Në kontratë nuk ekziston asnjë dispozitë për koncesion mbi qymyrin, minierat, asetet apo resurset e KEK-ut. Objekti i saj është i qartë: SHITJA E QYMYRIT. Kontrata dhe dosja e tenderit janë publike në platformën E-Prokurimi të KRPP-së dhe mund të verifikohen drejtpërdrejt nga çdo qytetar, medium apo palë e interesuar.”, thuhet në reagim.

“KEK-u tashmë ka bërë publike faktet kryesore: 24.4 euro për ton pa TVSH, periudhë 36-mujore, vlerë potenciale deri në 73.2 milionë euro, shitje direkte te përdoruesi përfundimtar dhe pa ndërmjetësues”, thuhet tutje.

Po ashtu, sipas reagimit, KEK-u nuk merr përsipër eskavimin, transportin apo operacionet logjistike për tërheqjen e qymyrit.

“Kjo e mban realizimin e kontratës të ndarë nga proceset operative të Korporatës dhe garanton se shitja e kësaj sasie të qymyrit nuk cenon operimet minerare, furnizimin e termocentraleve me qymyr apo prodhimin vendor të energjisë elektrike. Nevojat e termocentraleve mbeten prioritet absolut. Prandaj, paraqitja e kësaj kontrate si ‘koncesion’ është e pabazuar dhe në kundërshtim me përmbajtjen e dokumentit zyrtar”, thuhet në reagim.