Gërxhaliu: Ekonomia përballon krizat, por jo lehtë edhe jostabilitetin institucional
Foto: Laura Hasani

Gërxhaliu: Ekonomia përballon krizat, por jo lehtë edhe jostabilitetin institucional

Ekonomia August 21, 2026 - 09:07

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka ngritur shqetësimin për ndikimin që jostabiliteti institucional dhe pasiguria politike mund të kenë mbi ekonominë e Kosovës.

Gërxhaliu përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka vlerësuar se një ekonomi mund të përballojë sfida si inflacioni, kriza energjetike dhe presionet ndërkombëtare, por situata bëhet shumë më e vështirë kur këtyre u shtohet edhe mungesa e stabilitetit institucional dhe pasiguria politike.

“Një ekonomi mund të përballojë edhe inflacionin, edhe krizën energjetike, edhe presionet ndërkombëtare, por e ka shumë më të vështirë kur këto shoqërohen me jostabilitet institucional dhe pasiguri politike”, ka thënë Gërxhaliu.

Sipas tij, prioritet duhet të jetë krijimi i një klime në të cilën politika nuk e pengon zhvillimin ekonomik.

Ai ka kërkuar stabilitet institucional, dialog politik dhe sundim të ligjit, si dhe përshpejtim të reformave. Në fokus, sipas tij, duhet të jetë edhe përdorimi më efikas i fondeve të Bashkimit Evropian dhe krijimi i kushteve më të favorshme për investimet vendore dhe të huaja.

“Prandaj, prioritet duhet të jetë krijimi i një klime ku politika nuk e pengon ekonominë: stabilitet institucional, dialog politik, sundim i ligjit, përshpejtim i reformave, përdorim më efikas i fondeve të BE-së dhe krijimi i kushteve për investime vendore e të huaja”, ka shkruar Gërxhaliu.