Hyn në fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë Kosovë - EFTA
Nga sot, 1 tetor 2026, ka hyrë në zbatim të plotë Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s – Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit.
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) e ka vlerësuar marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për bizneset kosovare, pasi ajo heq tarifat doganore për produktet e Kosovës dhe u mundëson kompanive vendore qasje më të favorshme në këto katër tregje evropiane.
Sipas OEK-ut, marrëveshja krijon mundësi për rritjen e eksporteve dhe zgjerimin e produkteve “Made in Kosova” në tregun e EFTA-s, i cili përfshin mbi 15 milionë konsumatorë.
Potencial të veçantë paraqet Zvicra, për shkak të lidhjeve të fuqishme ekonomike me Kosovën, përfshirë remitencat, investimet dhe praninë e madhe të diasporës kosovare.
Përveç tregtisë së mallrave, marrëveshja krijon mundësi edhe për eksportin e shërbimeve, veçanërisht në sektorët e TIK-ut, ndërtimit dhe shërbimeve profesionale, si dhe ofron një kornizë për investime dhe partneritete të reja biznesore.
Sipas të dhënave për vitin 2025, Kosova ka eksportuar mbi 100.4 milionë euro mallra drejt vendeve të EFTA-s, ndërsa importet nga këto vende kanë qenë rreth 53 milionë euro.
OEK-u u ka bërë thirrje bizneseve kosovare ta shfrytëzojnë këtë marrëveshje për zgjerimin e eksporteve, rritjen e standardeve të produkteve dhe krijimin e partneriteteve të reja në tregjet e EFTA-s. /Zëri