Nga 8.9 në 23.3 milionë euro, RTK-ja kërkon nga Kuvendi trefishim të buxhetit për vitin e ardhshëm
Foto: Laura Hasani

Nga 8.9 në 23.3 milionë euro, RTK-ja kërkon nga Kuvendi trefishim të buxhetit për vitin e ardhshëm

Ekonomia October 20, 2026 - 10:00

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka miratuar të hënën projeksionin buxhetor për vitin 2027, me të cilin transmetuesi publik kërkon mbi 23.3 milionë euro nga buxheti i Kosovës, gati trefishin e mjeteve që ka marrë për këtë vit.

Nga 8 milionë e 960 mijë euro, sa ishte financimi nga Kuvendi i Kosovës për vitin 2026, RTK-ja synon të sigurojë 23.3 milionë euro për vitin e ardhshëm nga Kuvendi i Kosovës, ose 14.34 milionë më shumë, raporton Zeri.info.

Gjatë mbledhjes së Bordit, drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, prezantoi projeksionin dhe arsyetimin për rritjen e buxhetit, duke përmendur bazën ligjore të financimit, nevojat dhe detyrimet financiare të institucionit, pagën e 13-të, rritjen e pagës minimale, si dhe gjendjen e rëndë teknike të transmetuesit publik për shkak të mungesës së investimeve kapitale ndër vite.

Sipas saj, buxheti aktual mundëson kryesisht mbulimin e pagave dhe shpenzimeve operative, pa krijuar hapësirë të mjaftueshme për investime në teknologji dhe infrastrukturë.

“Projeksioni buxhetor i RTK-së për vitin 2027 është hartuar duke marrë parasysh bazën ligjore për financimin e RTK-së, nevojat e institucionit, detyrimet financiare, si dhe potencialin për realizimin e të hyrave vetanake dhe nga burimet e tjera të financimit”, tha Spahiu.

Në projeksionin buxhetor janë përfshirë edhe paga e 13-të, 300 mijë euro për blerjen e 14 automjeteve të reja dhe rritja e shujtave ditore për punonjësit, nga 2.5 euro në 4 euro. Për këtë të fundit janë paraparë rreth 614 mijë euro, raporton Zeri.info.

Spahiu tha se mungesa e investimeve ka bërë që RTK-ja të funksionojë për vite me radhë me pajisje dhe teknologji të amortizuara, ndërsa disa studio nuk janë funksionale.

“Buxheti i deritanishëm është i pamjaftueshëm, sepse mundëson vetëm realizimin e pagave dhe shpenzimeve të tjera operative dhe nuk jep hapësirë për investime të tjera kapitale”, deklaroi ajo.

“Në RTK ka vite që nuk është investuar. Ka funksionuar me një teknologji jashtë çdo amortizimi që parashohin mekanizmat e tjerë. Kemi studio që nuk janë funksionale, ndërsa në studiot që janë funksionale improvizohet vazhdimisht”, tha Spahiu para anëtarëve të Bordit.

Ajo krahasoi buxhetin e RTK-së me atë të transmetuesve të tjerë publikë në rajon, duke thënë se edhe shuma e kërkuar për vitin e ardhshëm mbetet e ulët në raport me nevojat e institucionit.

“Në vizitat që kemi pasur te transmetuesit publikë të tjerë, kemi parë se edhe ky buxhet që kemi prezantuar sot është shumë i vogël krahasuar me buxhetet që kanë transmetuesit e rajonit. Më lejoni t’ju them se buxhetin që ka sot RTK-ja e ka vetëm një radio në Armeni”, u shpreh drejtoresha e përgjithshme.

Sipas projeksionit të prezantuar, RTK-ja planifikon të sigurojë 23.3 milionë euro nga buxheti i Kosovës, që përbëjnë 94.34 për qind të të hyrave të përgjithshme të parashikuara. Ndërkaq, mbi një milion euro pritet të sigurohen nga burimet vetanake, duke përfshirë marketingun dhe aktivitetet e tjera të institucionit.

Kështu, të hyrat e përgjithshme të RTK-së për vitin 2027 pritet të tejkalojnë 24 milionë euro, raporton Zeri.info.

Në projeksion janë përfshirë edhe të hyrat që lidhen me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për realizimin e Festivalit të Këngës. Sipas marrëveshjes që kanë këto dy institucione, RTK-ja do të përfitojë 1.2 milion euro për realizimin e festivalit këtë vit dhe dy vitet e ardhshme.

Në ndarjen e shpenzimeve janë paraparë 11.2 milionë euro për paga, 188 mijë euro për punonjës të rinj, si dhe 1.5 milion euro për pakon dalëse për punonjësit e RTK-së, raporton Zeri.info.

Sa u përket rekrutimeve të reja, projeksioni përfshin punësimet për kanalin në gjuhën serbe, RTK 2, pas kërkesave të vazhdueshme të menaxhmentit. Për kanalin kryesor, Spahiu tha se vendimet për rekrutime të reja do të merren pas përfundimit të një vlerësimi të përgjithshëm të gjendjes dhe nevojave të institucionit. .

Projeksioni buxhetor mori mbështetjen e plotë të Bordit, i cili u votua me 7 vota për, ndonëse shumica prej tyre u shprehën pesimist se kjo do të mbështetet nga ligjvënësit gjatë komisioneve parlamentare, ndërsa u kërkua lobim më i madh te deputetët nga ana e menaxhmentit dhe nga Bordi, në mënyrë që ky buxhet të aprovohet nga themeluesi i RTK-së./ Zëri