Nga “Lidl” tek “Amazon”, Rafuna: Barkodi i Kosovës ua lehtëson prodhuesve daljen në tregjet e huaja
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se pajisja e produkteve vendore me barkod ndërkombëtar të Kosovës u jep fund vështirësive që prodhuesit kanë pasur për vite me radhë gjatë eksportit.
Rafuna ka shpjeguar se mungesa e barkodit i kishte detyruar bizneset kosovare të blinin barkode në vende të tjera, duke krijuar më pas paqartësi për origjinën e produkteve.
“Prodhimi i Kosovës tash do ta ketë barkodin e vet ndërkombëtar”, ka deklaruar Rafuna, duke e cilësuar mungesën e tij që nga paslufta si diskriminim ndaj prodhuesve vendorë.
Sipas tij, përdorimi i barkodeve të vendeve të tjera kishte ngritur pikëpyetje te blerësit, ndonëse produktet prodhoheshin në Kosovë.
“Prodhuesi ynë është detyruar të shkojë të blejë barkode nëpër vende të ndryshme për t’ua vendosur produkteve që i shiste jashtë”, ka thënë ai për Telegrafin.
Rafuna ka përmendur rrjetin "Lidl" në Gjermani dhe platformën "Amazon" si shembuj të mundësive për shitjen e produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare.
Duke folur për "Amazon", Rafuna ka thënë se pranimi i barkodeve të Kosovës në këtë platformë ishte miratuar kohë më parë.
Sipas tij, ky zhvillim ua lehtëson prodhuesve vendorë shitjen jashtë vendit, duke përdorur barkodin e Kosovës.
“Barkodet e Republikës së Kosovës janë të pranuara dhe produkti mund të shitet”, ka theksuar Rafuna.