KEK-u prezanton rezultatet dhe investimet strategjike
Korporata Energjetike e Kosovës mbajti mbledhjen e Përgjithshme Vjetore të Aksionarit, gjatë së cilës u prezantuan dhe u shqyrtuan rezultatet operative dhe financiare të Korporatës për vitin 2025, si dhe progresi në realizimin e investimeve strategjike.
Në mbledhje morën pjesë përfaqësuesi i aksionarit, Getoar Mjeku, Zëvendësministër i Ekonomisë, dhe Dëfrim Pllashniku, Drejtor i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, si dhe Bordi i Drejtorëve, i kryesuar nga Valdrin Krasniqi, dhe Menaxhmenti i Lartë i KEK-ut, i udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv, Gramos Hashani.
Gjatë mbledhjes u prezantuan raportet përkatëse për vitin 2025, përfshirë Raportin Vjetor, Raportin e Auditorit të Jashtëm mbi pasqyrat financiare dhe Raportin e Performancës së Menaxhmentit.
Investimet strategjike, modernizimi i njësisë B2 sjell rezultate konkrete
Vëmendje e veçantë iu kushtua përfundimit me sukses të projektit të modernizimit të turbinave dhe projekteve të tjera përcjellëse në njësinë B2 të TC Kosova B, investime të cilat tashmë kanë dhënë rezultate të dukshme në performancën teknike dhe operative të njësisë.
Krahas përmirësimit të sigurisë, besueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së operimit, investimet e realizuara kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e kapacitetit prodhues të njësisë B2, nga rreth 270 MW bruto para investimeve në rreth 310 MW bruto aktualisht, që përfaqëson një rritje prej rreth 40 MW, përkatësisht 14.8%.
Këto rezultate dëshmojnë efektin konkret të investimeve strategjike në modernizimin e teknologjisë ekzistuese, përmirësimin e performancës dhe forcimin e kapaciteteve vendore të prodhimit të energjisë elektrike.
Njëkohësisht, gjatë vitit 2025, KEK-u ka iniciuar procedurat për realizimin e projektit të rehabilitimit dhe modernizimit të thellë të njësisë A3 të TC Kosova A, projekt ky i paraparë edhe në Strategjinë Kombëtare të Energjisë. Ky investim strategjik synon përmirësimin rrënjësor të sigurisë dhe besueshmërisë së operimit, rritjen e efikasitetit dhe reduktimin e ndikimit mjedisor, krahas ngritjes së planifikuar të kapacitetit prodhues nga rreth 130 MW në 215 MW, përkatësisht një rritje prej 85 MW apo rreth 65%.
Realizimi i këtij projekti do të përfaqësonte një tjetër hap të rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve ekzistuese të KEK-ut dhe forcimin afatgjatë të sigurisë energjetike të vendit.
Performanca e vitit 2025 – stabilitet operativ dhe përmbushje e obligimeve
Pavarësisht sfidave teknike dhe operative, KEK-u ka dëshmuar stabilitet dhe përkushtim në përmbushjen e rolit të tij strategjik në sektorin energjetik të Kosovës.
Gjatë vitit 2025, Korporata ka vazhduar furnizimin me energji elektrike për nevojat e konsumatorëve me shërbim universal përmes KESCO-s, si dhe për mbulimin e humbjeve në rrjetet e transmetimit dhe shpërndarjes përmes KOSTT-it dhe KEDS-it.
Njëkohësisht, KEK-u ka siguruar furnizimin me energji termike për Termokosin, duke kontribuar në ngrohjen e kryeqytetit gjatë sezonit të ngrohjes.
Kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe Divizioni i Prodhimit të Qymyrit (DPQ), përmes aktiviteteve të prodhimit të qymyrit dhe largimit të djerrinës, duke mbështetur operimin e dy termocentraleve, Kosova A dhe Kosova B.
Modernizimi dhe siguria energjetike, prioritete afatgjata
Në mbledhje u theksua gjithashtu përkushtimi i KEK-ut për vazhdimin e investimeve kapitale, rehabilitimin dhe modernizimin e njësive prodhuese, përmirësimin e standardeve mjedisore dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme të energjisë.
Në përmbyllje, Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti ritheksuan angazhimin për avancimin e performancës, realizimin e projekteve strategjike dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit.
Me këtë rast, KEK-ut shpreh mirënjohje për të gjithë punonjësit, inxhinierët dhe ekipet profesionale e teknike, kontributi i të cilëve mbetet vendimtar në realizimin e rezultateve dhe përmbushjen e objektivave të Korporatës.