Ndërpriten punimet në dy objekte ndërtimi, në Rahovec dhe Gjakovë
Ekonomia
November 19, 2026 - 14:33
Inspektorati Qendror i Punës ka ndërprerë përkohësisht punimet në dy objekte ndërtimi, një në Rahovec dhe një në Gjakovë, pas parregullsive të evidentuara në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas njoftimit të këtij institucioni, vendimi për ndalimin e punimeve është marrë pas inspektimeve të kryera në të dy objektet, me qëllim të parandalimit të rrezikimit të jetës dhe shëndetit të punëtorëve.
Nga Inspektorati kanë bërë të ditur se punimet do të mbeten të ndërprera deri në eliminimin e parregullsive të konstatuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë.
“Siguria dhe shëndeti i punëtorëve mbeten prioritet i Inspektoratit Qendror të Punës”, thuhet në njoftim.