Lëndohen tre fëmijë nga zjarri që përfshiu shtëpinë e tyre në Vushtrri

Kronika December 14, 2020 - 10:20

Tre fëmijë janë lënduar si pasojë e një zjarri, që përfshiu dje në orët e mëngjesit një shtëpi njëkatëshe në Vushtrri.

Rastin e ka raportuar vetë pronari i shtëpisë, ndërsa shkaqet e zjarrit ende nuk janë të ditura.

“Është raportuar se për shkaqe ende të panjohura një zjarr kishte përfshirë shtëpinë njëkatëshe, pronë e viktimës mashkull kosovar. Përveç njësive policore, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e tjera relevante si: zjarrfikësit, të cilët e kanë shuar zjarrin, eksperti i zjarreve, Njësiti emergjent për mbrojte dhe shpëtim Vushtrri, si dhe autoambulanca, pasi tre fëmijë, dy meshkuj dhe një femër, kosovarë, kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor, të cilët kishin qenë në shtëpi kur kishte ndodhur rasti”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Njoftohet se dy prej fëmijëve pas trajtimit mjekësor janë liruar, kurse i treti mbetet për trajtim të mëtejmë në spital në pjesën veriore në Mitrovicë, por sipas informatave nga mjeku bëhet fjalë për lëndime të lehta trupore.

“Në dhomën e shtëpisë është gjetur dhe tërhequr një kasetë metali, në të cilën kishte qenë një armë dhe disa fishekë, të cilat ishin djegur nga zjarri dhe nuk dihet lloji i armës. Lidhur me rastin janë njoftuar autoritetet kompetente, rasti vazhdon të hetohet nga njësitë përkatëse”, theksohet në raport. /Zëri