Vdes drejtoresha e Arsimit në Komunën e Shtimes

Vdes drejtoresha e Arsimit në Komunën e Shtimes

Kronika April 22, 2026 - 10:17

Ka vdekur drejtoresha e Arsimit në Komunën e Shtimes, Yllka Fejzullahu.

Njoftimin e ka dhënë kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, i cili ka thënë se ndarja e parakohshme e saj nga jeta ka shkaktuar humbje të madhe.

“Yllka ishte drejtoreshë e spikatur e arsimit, që me punën e kontributin e saj ishte frymëzim për çdo të re në komunën tonë, e cila i dha kahje reformës arsimore në Shtime. Ajo ishte e pakompromis ndaj parimeve dhe tërë jetën e kaloi me integritet të lartë e dinjitet të dalluar njerëzor, intelektual e kulturor. Si pinjolle e një familjeje me themel intelektual e kombëtar, në kulmin e karrierës së saj, pas një sëmundjeje të shkurtër, parakohshëm e në ditët e saj më të mira, na la duke na pikëlluar fort neve bashkaktivistëve të saj, por edhe të gjithë qytetarëve të Shtimes e më gjerë”, shkroi Aliu.

Ai ka thënë se Yllka Fejzullahu ishte vajzë e hekurt, aktiviste shembullore, drejtoreshë e spikatur e arsimit në Shtime, që do të mbahet mend gjatë për vlerat, kontributin e saj institucional, politik, arsimor dhe kulturor.

“Yllka, do të na mungosh shumë mikja jonë. U prehsh në paqe dhe shpirti yt i bardhë e i dëlirë u bëftë dritë!”, shkroi Aliu në Facebook.