Gjykimi për 53-milionëshin, eksperti: “Bechtel Enka” ishte vazhdimisht prapa me punimet në autostradën “Arbën Xhaferi”
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rigjykimin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”, edhe të martën vazhdoi dëshminë eksperti financiar Naser Rusinovci, i cili deklaroi se në momentin që është nënshkruar kontrata për zgjatje të afatit të punimeve, kanë pushuar parimet e FIDIC-ut.
Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të tij të lartë politik, Nebih Shatri, si sekretar i përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, në bashkëkryerje.
Rusinovci dëshminë e filloi më 16 shkurt 2026, ndërsa vazhdoi dhënien e sqarimeve në pyetjet e prokurorit special, Atdhe Dema edhe në seancën e 19 marsit 2026 si dhe në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Lekaj, avokatit Artan Qerkini në seancën e 31 marsit 2026.
Edhe në këtë seancë, eksperti vazhdoi dhënien e sqarimeve në pyetjet e avokatit Qerkini.
Eksperti Naser Rusinovci deklaroi se modeli i zgjedhur i kontratës parasheh që pagesa të bëhet pas përfundimit dhe certifikimit të punës apo shërbimit të caktuar, ndërsa pagesa për punët e kryera mund të parashihet të bëhet edhe pas një periudhe kohore.
“Për shkak të vlerës shumë të lartë të kontratës, kontraktori ka kërkuar një specifikim se si t’i faturojë punët e kryera”, deklaroi eksperti.
Ai gjithashtu tha se i akuzuari Pal Lekaj kishte nënshkruar edhe një kontratë pa kosto, me afat për vazhdimin e punimeve.
Sipas ekspertit, kontraktori ishte vazhdimisht prapa me punimet e tij dhe zotimet e dhëna për afatin kohor të kryerjes së punës.
Eksperti deklaroi se i tërë rasti ndërtohet mbi parimet e FIDIC-ut dhe se, me këtë model të zgjedhur, puna duhej të kryhej brenda afatit që kontraktori ka pranuar dhe për të nuk parashihet aneks-kontratë.
“Kontrata i ka zbatuar parimet e FIDIC-ut, ku janë të gjitha rregullat, ndërsa në praktikë gjatë zbatimit të projektit është kërkuar të devijohet nga ato parime dhe, në momentin që është nënshkruar kontrata tjetër, me automatizëm pushojnë të gjitha parimet e FIDIC-ut”, deklaroi eksperti.
Ndryshe, ish-kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama kishte refuzuar kërkesën për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra nga gjykimi i rastit të njohur si “53-milionëshi”, kërkesë kjo e parashtruar nga i akuzuari Eset Berisha.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj ishte dënua me tre vjet e tetë muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata kishte shpall edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej tre vjetësh e gjashtë muajsh.
Nebih Shatri ishte dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri ishte dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre ishte shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha ishte dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.
Po ashtu, ndaj Berishës ishte shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.
Por, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit.
“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar lidhur me përmbajtjen e vendimi të plotë të përpiluar nga Themelorja në Prishtinë, duke publikuar gjetjet e gjykatës nga mbrojtja e të akuzuarve dhe gjetjet nga deklaratat e dëshmitarëve. Po ashtu, edhe për gjetjet e Apelit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”. /BetimipërDrejtësi