Vrau vëllain gjashtë vjet më parë, vdes Emrush Gashi në Francë

Vrau vëllain gjashtë vjet më parë, vdes Emrush Gashi në Francë

Kronika April 22, 2026 - 10:36

Emrush Gashi, 66-vjeçar, i dënuar për vrasjen e vëllait të tij më 14 korrik 2018 në Tërbovc të Lipjanit, është gjetur i vdekur para disa ditësh në një burg në Francë. Sipas raportimeve, ai ka kryer vetëvrasje.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se ka pranuar informata për vdekjen e tij përmes kanaleve ndërkombëtare.

Po ashtu, në përgjigjen e kësaj prokurorie bëhet e ditur se ndaj tij ishte ngritur aktakuzë gjatë marsit të vitit të kaluar.

“Ju njoftojmë se më 27.03.2025, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Klankosova.tv.

“Gjithashtu, kemi pranuar informata lidhur me vdekjen e tij përmes kanaleve ndërkombëtare dhe kemi pranuar edhe vërtetimin e vdekjes së tij. Aktualisht, ende jemi në pritje të aktvendimit nga Gjykata”.

Policia e Kosovës gjatë vitit 2018 kishte kërkuar ndihmë për gjetjen e Emrush Gashit, nën dyshimin se kishte vrarë vëllanë e tij, M.G., 54 vjeç.

Ai ishte arrestuar pak vjet më pas, më 26 gusht 2021 në Francë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.