Aksion në Agjencinë Kadastrale, Prokuroria jep detaje
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policia e Kosovës, ka zhvilluar sot një aksion në Agjencia Kadastrale e Kosovës, si dhe në disa lokacione të tjera, në kuadër të hetimeve për krim ekonomik dhe korrupsion.
Pas aksionit Prokuroria përmes një komunikate për media ka thënë se, aksioni është realizuar në bazë të urdhëresës së Gjykata Themelore në Prishtinë dhe lidhet me dyshimet për veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “falsifikim i dokumenteve” dhe “legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”, transmeton Zeri.info.
Hetimet dyshojnë se të pandehurit A.Q. dhe N.K., në bashkëpunim dhe me marrëveshje paraprake, kanë përdorur një dokument të falsifikuar të titulluar “Kontratë për këmbim të paluajtshmërive” të datës 11 shkurt 1966, duke paraqitur në mënyrë të rreme një transaksion pronësor me qëllim përfitimi të kundërligjshëm.
Po ashtu, dyshohet se një zyrtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, A.B., ka keqpërdorur detyrën duke mundësuar përfshirjen e dokumentit në arkiva dhe krijimin e dosjeve fiktive, duke i dhënë atij karakter zyrtar.
Ndërkohë, dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, B.Sh. dhe M.B., dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat duke aprovuar një ankesë dhe mundësuar regjistrimin e pronës në mënyrë të kundërligjshme në emër të njërit prej të dyshuarve.
Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit dhe se hetimet në këtë rast do të vazhdojnë në koordinim me institucionet përkatëse./Zëri