Sekuestrohen rreth 8 kg ar dhe argjend në Prizren, vlera mbi 460 mijë euro
Foto: ilustrim

Sekuestrohen rreth 8 kg ar dhe argjend në Prizren, vlera mbi 460 mijë euro

Kronika May 21, 2026 - 10:24

Prokuroria Themelore në Prizren, në koordinim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, si dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, ka zhvilluar aksion ndaj disa bizneseve për shitjen e arit në Prizren, nën dyshimet për shmangie të detyrimeve doganore dhe tatimore.

Sipas njoftimit, hetimet kanë nisur më 19 shtator 2025, ndërsa më 20 maj 2026, me urdhër të prokurorit të çështjes, janë kryer kontrolle në gjashtë lokale afariste dhe tri shtëpi banimi në Prizren, transmeton Zeri.info.

Gjatë kontrolleve janë siguruar dëshmi materiale dhe është zbuluar një sasi e konsiderueshme ari dhe argjendi të padeklaruar. Lidhur me rastin janë iniciuar hetime ndaj katër personave për veprat penale “Shmangia nga tatimi” dhe “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.

Autoritetet kanë sekuestruar gjithsej 3 mijë e 775 gramë ar të padeklaruar, me vlerë të përafërt rreth 455 mijë euro, si dhe 4 mijë e 204 gramë argjend të padeklaruar, me vlerë rreth 8 mijë e 900 euro, transmeton Zeri.info.

Po ashtu, gjatë kontrolleve në dy lokacione të ndryshme janë gjetur dhe sekuestruar edhe dy armë pa leje, për çka është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar. /Zëri