Lista Serbe humb ankesën në Supreme, mbetet në fuqi vendimi për certifikimin e kandidatëve
Foto: Laura Hasani

Lista Serbe humb ankesën në Supreme, mbetet në fuqi vendimi për certifikimin e kandidatëve

Kronika May 22, 2026 - 15:20

Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka vendosur lidhur me ankesën e subjektit politik Lista Serbe, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZP. Anr. 5/2026, të datës 18.05.2026.

Në seancën e mbajtur më 22 maj 2026, Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Listës Serbe, duke vërtetuar vendimin e PZAP-it. PZAP-i, me vendimin e saj të datës 18.05.2026, kishte refuzuar ankesën e “Listës Serbe” të paraqitur kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), lidhur me certifikimin e dhjetë kandidatëve të subjektit politik ‘Za Slobodu Pravdu i Opstanak’, për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor 2026. Në ankesën e paraqitur në Gjykatën Supreme, “Lista Serbe” kishte pretenduar shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, duke kërkuar anulimin e vendimeve të PZAP-së dhe KQZ-së dhe detyrimin e KQZ-së për nxjerrjen e një vendimi të ri.

Bëhet e ditur se pas shqyrtimit të pretendimeve dhe shkresave të lëndës, Gjykata Supreme ka vlerësuar se ankesa është e pabazuar.

“Gjykata ka theksuar se ankuesi nuk ka ofruar prova konkrete, të besueshme dhe bindëse për të mbështetur pretendimet se kandidatët e certifikuar nga KQZ-ja nuk i përkasin komunitetit serb. Po ashtu, Gjykata Supreme ka vlerësuar se publikimet në media apo portale elektronike nuk përbëjnë prova juridikisht relevante për vërtetimin e përkatësisë etnike të kandidatëve”, thuhet në njoftim.

Sipas Gjykatës, thuhet se barra e provës bie mbi ankuesin dhe pretendimet për shkelje ligjore ose kushtetuese nuk mund të bazohen vetëm në supozime ose interpretime subjektive.

“Gjykata Supreme ka konstatuar se vendimi i PZAP-it është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke respektuar parimet e barazisë, të drejtave zgjedhore dhe mbrojtjes së komuniteteve”, thuhet në njoftim. /Zëri