Pezullohet drejtori i Policisë së Vlorës, Policia e Shtetit: U dha informacion i gabuar mbi ngjarjen e Zvërnecit

Pezullohet drejtori i Policisë së Vlorës, Policia e Shtetit: U dha informacion i gabuar mbi ngjarjen e Zvërnecit

Kronika May 30, 2026 - 20:25

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë ka kërkuar ndjesë publike pas një raportimi të pasaktë të bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë lidhur me një qytetar, për të cilin fillimisht u raportua se ishte futur me forcë brenda rrethimit të një kantieri ndërtimi. Sipas sqarimit zyrtar, ky pretendim nuk qëndron.

Në njoftim theksohet se, ndonëse pjesa tjetër e komunikatës së Policisë së Vlorës ishte korrekte, gabimi në raportim konsiderohet i rëndë.

 Për këtë arsye, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Policisë Vendore Vlorë.

“Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast”, thuhet në reagimin zyrtar.

Sa i përket pretendimeve të ngritura në protestën e zhvilluar lidhur me kantierin, policia bën me dije se verifikimet kanë treguar se territori i rrethuar është pronë private, e pajisur me dokumentacion të rregullt hipotekor dhe me autorizim ligjor për rrethim.

Në këtë kontekst, Policia e Shtetit thekson se çdo pretendim që lidhet me pronën private apo zhvillimin e saj duhet të adresohet përmes rrugës gjyqësore.

“Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor”, përfundon njoftimi. /euronews