Policia flet për rastin ku u shoqërua në stacion kryetari i Mitrovicës së Veriut

Policia flet për rastin ku u shoqërua në stacion kryetari i Mitrovicës së Veriut

Kronika June 05, 2026 - 12:31

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 5 qershor 2026 ka pranuar vendimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut për largimin e mbishkrimit “I Love Mitrovica”.

Sipas njoftimit, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku janë njoftuar edhe inspektorët komunalë se zbatimi i vendimit duhet të shtyhet deri në marrjen e konfirmimit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Në vendngjarje, sipas Policisë, ka qenë i pranishëm kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut së bashku me rreth 20 persona, përfshirë edhe kryesuesin e Kuvendit Komunal.

Pas informimit nga komandanti i stacionit policor, kryetari i komunës, pas deklarimeve për media, i është drejtuar zyrtarëve policorë duke thënë se “tani do të ngjyrosim me ngjyrë emblemën”.

Policia ka bërë të ditur se zyrtarët kanë kërkuar që të mos lejohet dëmtimi apo ngjyrosja e objektit publik, duke tentuar ta parandalojnë veprimin. Megjithatë, sipas njoftimit, personat e përfshirë kanë vazhduar me ngjyrosjen e instalacionit.

Pas këtij veprimi, policia ka ndërhyrë dhe ka shoqëruar dy persona në stacionin policor.

Sipas procedurave ligjore, ndaj tyre është shqiptuar kundërvajtje për vandalizëm, ndërsa me urdhër të prokurorit kompetent janë liruar dhe procedurat e mëtejme do të vazhdojnë në përputhje me ligjin. /Zëri