Policia e Kosovës shqiptoi 261 gjoba dhe konfiskoi 41 motoçikleta gjatë javës së kontrollit ROADPOL

Policia e Kosovës shqiptoi 261 gjoba dhe konfiskoi 41 motoçikleta gjatë javës së kontrollit ROADPOL

Kronika June 08, 2026 - 17:27

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës 1-7 qershor 2026 ka realizuar aktivitete të shtuara të kontrollit në trafikun rrugor në kuadër të planit evropian ROADPOL (Rrjeti Evropian i Policive Rrugore), me fokus të veçantë në mjetet me dy rrota.

Sipas policisë, operacioni është zhvilluar në të gjitha rrugët e vendit me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve që përfshijnë motoçikleta, skuterë dhe mjete të tjera me dy rrota.

Gjatë zbatimit të këtij plani operacional, njësitë e trafikut kanë realizuar gjithsej 734 pika kontrolli, ku janë kontrolluar 659 mjete me dy rrota.

Nga kontrollet e kryera janë evidentuar një numër shkeljesh të rregullave të trafikut, për të cilat janë shqiptuar 261 gjoba. Po ashtu, policia ka bërë të ditur se janë konfiskuar 41 mjete me dy rrota për shkak të parregullsive të konstatuara gjatë kontrolleve.

Policia e Kosovës theksoi se aktivitete të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore dhe respektimit të rregullave të trafikut nga të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.