Arrestohen dy drejtorë të shkollave paralele serbe në Kamenicë

Arrestohen dy drejtorë të shkollave paralele serbe në Kamenicë

Kronika June 12, 2026 - 09:23

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka reaguar pas aksionit të institucioneve të sigurisë në këtë komunë, ku u arrestuan dy drejtorë të shkollave të sistemit paralel serb.

Përmes një postimi në Facebook, Rahimaj falënderoi institucionet e rendit dhe sigurisë së Kosovës për, siç e cilësoi ai, përmbylljen me sukses të një aksioni të rëndësishëm kundër personave që për një kohë të gjatë kanë penguar punën e institucioneve lokale dhe kanë shqetësuar komunitetin.

“Pas një pune intensive, është përmbyllur me sukses një aksion i ndërmarrë nga institucionet tona ndaj individëve të caktuar, të cilët për një periudhë të gjatë kanë vështirësuar punën e institucioneve tona lokale dhe kanë shqetësuar komunitetin”, shkroi Rahimaj, transmeton Zeri.info.

Sipas tij, në kuadër të një prej aksioneve më të rëndësishme të viteve të fundit në Kamenicë janë bastisur shtëpi dhe lokale, ndërsa më pas janë arrestuar drejtorët e shkollave të sistemit paralel serb, të identifikuar me inicialet N.V. dhe D.K., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale.

“Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar të trajtojë secilin qytetar pa asnjë dallim, siç mbetet e përkushtuar të kontribuojë në sigurinë e përgjithshme, në koordinim të plotë me institucionet e thirrura për këtë”, shtoi ai.

Policia e as Prokuroria ende nuk kanë bërë të ditura detaje të plota lidhur me veprat penale për të cilat dyshohen të arrestuarit. /Zëri