Trafiku i kokainës nga Amerika Latine, caktohet masa e sigurisë ndaj shqiptarëve të dyshuar
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri ka caktuar masat e sigurisë ndaj pesë të dyshuarve për trafikun e kokainës nga Amerika Latine, si dhe për vepra të tjera penale që lidhen me shpëlarjen e parave.
Tre prej të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit, derisa njërit prej tyre ajo e arrestit shtëpiak, ndërkaq i dyshuari i pestë është liruar në këmbim të një shume prej 100 mijë eurosh, për shkak të problemeve shëndetësore.
Të pestë personat dyshohen si pjesëmarrës në organizatën e përbërë nga 20 persona dhe kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin me role të ndara e të koordinuara.
Autoritetet i kanë lidhur fijet përmes platfomrës SKY ECC dhe nga përgjimet telefonike del se organizimi i trafikut ndërkombëtar të drogërave të forta, menaxhimi i laboratorëve në Amerikën Latine, transporti i ngarkesave dhe shpërndarja e kokainës në tregjet europiane.
Sipas dosjes, paratë e pista të ardhura me burim kriminal janë investuar në pasuri të paluajtshme, projekte ndërtimi dhe shoqëri tregtare, konkretisht në zhvillimin e disa prej zonave më luksoze në Shqipëri.
Aty thuhet se skema mjaft komplekse e pastrimit të parave, tregon mekanizmin sesi miliona euro pastroheshin duke i injektuar në tregun e ligjshëm edhe përmes sistemve informale të transferimit të parave.
Nga operacioni ishin sekuestruar 128 milionë euro, 18 vila, 336 llogari bankare, kompani, apartamente, automjete luksoze, prona në Tiranë, Palasë, Jalë e Himarë.