Një vit burg për kanosje me sëpatë në Ferizaj, i pandehuri kërcënoi sërish viktimën në Gjykatë
Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj F.A., duke e dënuar me një vit burgim efektiv për veprën penale “Kanosje”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, vendimi është marrë nga Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, në një trup gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Mimoza Maloku Shabani, pas shqyrtimit të provave personale dhe materiale në këtë rast.
Sipas aktakuzës, më 8 mars 2026, rreth orës 11:45, në një fshat të Komunës së Ferizajt, i pandehuri kishte kanosur të dëmtuarin V.M. pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme lidhur me një pronë.
Prokuroria pretendon se F.A., me qëllim të frikësimit, kishte mbajtur lart një sëpatë në pozicion të përshtatshëm për t’i shkaktuar lëndime trupore dhe e kishte kërcënuar verbalisht, duke i shkaktuar viktimës ndjenjë frike dhe pasigurie për jetën.
Gjykata e shpalli fajtor të pandehurin për veprën penale “Kanosja” nga Neni 181, paragrafi 4 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti.
Po ashtu, me aktvendim të veçantë, gjykata i caktoi të pandehurit masën e paraburgimit deri në formën e prerë të aktgjykimit, por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar.
Sipas gjykatës, kjo masë u vendos pasi i pandehuri, në seancën fillestare të mbajtur më 16 qershor 2026, edhe pse pranoi fajësinë, dyshohet se ka kanosur sërish të dëmtuarin.
“Nuk jam penduar për këto veprime dhe me gjak do ta paguaj sakicën djali i vëllait të tij që është polic dhe unë nuk e la këtë punë me kaq”, citohet të ketë thënë i pandehuri gjatë seancës.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në afat prej 30 ditësh nga pranimi i vendimit në formë të shkruar. Ankesa paraqitet në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj. /Zëri