Nga një muaj paraburgim ndaj gruas dhe djalit të saj për vrasjen në Kobaj të Prizrenit

Nga një muaj paraburgim ndaj gruas dhe djalit të saj për vrasjen në Kobaj të Prizrenit

Kronika June 16, 2026 - 15:50

Gjykata Themelore në Prizren ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të pandehurve të dyshuar për përfshirje në një rast të vrasjes së rëndë që ndodhi më 14 qershor në fshatin Kobaj të Prizrenit.

Sipas vendimit të Gjykatës, paraburgimi deri më 14 korrik 2026 është caktuar ndaj Sh.O., i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, si dhe ndaj A.O., e cila dyshohet për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.

Sipas dosjes së rastit, Sh.O. dhe një i mitur me inicialet A.O. dyshohet se, më 14 qershor 2026, pas një konflikti të mëhershëm të shkaktuar nga mosmarrëveshje, janë përfshirë fillimisht në një konflikt verbal dhe më pas fizik me viktimën A.O. dhe të dëmtuarin I.O.

Prokuroria dyshon se ata, duke përdorur thika, i kanë sulmuar dy personat, ku si pasojë e plagëve të marra në pjesën e gjoksit, viktima A.O. ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa I.O. ka pësuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetën dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se veprimet janë kryer pasi të dyshuarit janë shtyrë nga A.O., e cila është nëna e tyre.

Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi hetimet ndodhen në fazën fillestare dhe ekziston rreziku që të dyshuarit të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë apo të pengojnë zhvillimin e procedurës penale.

Po ashtu, në arsyetimin e vendimit thuhet se pesha e veprës penale, mënyra e kryerjes së saj dhe rrethanat e rastit krijojnë dyshimin se, nëse lirohen, të pandehurit mund të përsërisin vepra të ngjashme penale.

Gjykata theksoi se në këtë fazë bëhet fjalë për dyshime të bazuara, ndërsa vërtetimi i plotë i fakteve do të vlerësohet gjatë fazave të mëtejshme të procedurës penale. /Zëri