Aksion i madh i Policisë, Prokurorisë dhe AKI-së: Sekuestrohen 60 kilogramë drogë, arrestohen katër persona
Një operacion disa mujor i zhvilluar nga institucionet e sigurisë ka çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të substancave narkotike në Kosovë.
Katër persona, përfshirë shtetas të Kosovës, Serbisë dhe Shqipërisë, kanë përfunduar në pranga nën dyshimet për trafikim të narkotikëve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se aksioni është realizuar në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.
“Pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, si dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, është zhvilluar një aksion në dy lokacione në Komunën e Prishtinës dhe në fshatin Babush të Komunës së Ferizajit, ku si rezultat janë sekuestruar rreth 60 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas autoriteteve, gjatë operacionit janë arrestuar katër persona të dyshuar. Njëri prej tyre është shtetas i Republikës së Kosovës, dy janë shtetas të Republikës së Serbisë, ndërsa njëri shtetas i Republikës së Shqipërisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për shkak se të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’”, thuhet në njoftim.
Përveç sasisë së narkotikëve, gjatë aksionit janë sekuestruar edhe dy automjete dhe një kamion, të cilat dyshohet se janë përdorur në aktivitetet e kundërligjshme.
“Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar rreth 60 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë, dy vetura dhe një kamion”, njofton Prokuroria.
Ndërkohë, Prokurori i Shtetit ka paralajmëruar se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, me qëllim sigurimin e prezencës së të dyshuarve në procedurën penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës do të vazhdojë angazhimin për luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të personave që bien ndesh me ligjin. /Zëri