Lajmërimi për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ishte i rrejshëm

Lajmërimi për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ishte i rrejshëm

Kronika June 22, 2026 - 19:51
I plotësuar

Një informatë për një mjet të dyshuar shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ka mobilizuar të hënën pasdite njësitet e Policisë së Kosovës, të cilat kanë ndërmarrë masa të menjëhershme sigurie në zonë.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka deklaruar se rasti është raportuar rreth orës 18:00.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar një informatë për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, ka thënë Ahmeti për Zërin.

Ajo shtoi se pas ekzaminimeve dhe kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, policia ka konstatuar se alarmi ka qenë i pabazuar.

“Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë”, ka deklaruar Ahmeti për Zërin.

Ajo ka bërë të ditur se autoritetet tashmë kanë nisur hetimet për identifikimin e personit apo personave që qëndrojnë pas këtij lajmërimi.

“Hetuesit policorë, në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast, i cili është cilësuar si lajmërim i rrejshëm”, ka theksuar Ahmeti.

Për shkak të alarmit, për një periudhë të shkurtër janë ndërmarrë masa sigurie në zonën e Stacionit të Autobusëve, ndërsa pas përfundimit të kontrolleve situata është normalizuar dhe nuk është evidentuar asnjë rrezik për qytetarët./Zëri

19:40 Alarm për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, evakuohen qytetarët

Policia e Kosovës ka pranuar sot rreth orës 18:00 një informatë për një mjet të dyshuar shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Pas pranimit të njoftimit, policia ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme të sigurisë, duke evakuuar qytetarët nga një perimetër i caktuar dhe duke angazhuar njësitet përkatëse për verifikimin dhe trajtimin e rastit, raporton Zeri.info.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar një informatë për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, ka konfirmuar për "Zërin", zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Policia pritet të japë informacione shtesë pas përfundimit të kontrollit në terren. /Zëri