Dogana zbulon 23.500 euro të padeklaruara në Merdar, ndalon 25% të shumës
Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ka zbuluar 23.500 euro mjete monetare të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar Merdar.
Sipas njoftimit të Doganës, automjeti ishte përzgjedhur për kontroll në bazë të analizës së riskut. Pas intervistimit fillestar, ai u dërgua për kontroll të detajuar në vijën e dytë.
Gjatë kontrollit të përbashkët nga zyrtarët doganorë dhe Policia Kufitare, u gjetën 10 mijë euro në çantën personale të udhëtarit, ndërsa edhe 13,500 euro të tjera u zbuluan të fshehura në zarfe brenda një ndarjeje të automjetit, duke e çuar shumën totale në 23.500 euro.
Dogana bën të ditur se personi posedonte një kontratë noteriale për shitblerjen e një prone, të datës 29 qershor 2025, si dhe një dëshmi të tërheqjes bankare të datës 1 korrik 2026, të cilat dokumentonin prejardhjen e ligjshme të mjeteve monetare.
Pas konstatimit të mosdeklarimit, rasti iu referua Hetimeve Doganore për procedura të mëtejshme. Meqenëse burimi i mjeteve ishte i dokumentuar, autoritetet vendosën të ndalin 25 për qind të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër iu kthye poseduesit në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana rikujton se çdo person që hyn ose del nga territori i Republikës së Kosovës me 10 mijë euro ose më shumë, apo kundërvlerën e tyre në valuta të tjera ose instrumente të negociueshme, është i obliguar t'i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore.
Sipas institucionit, mosdeklarimi ose deklarimi i pasaktë përbën kundërvajtje dhe mund të sjellë pasoja ligjore, përfshirë ndalimin e përkohshëm ose konfiskimin e një pjese të mjeteve monetare.
Dogana e Kosovës thekson se do të vazhdojë zbatimin e kontrolleve në të gjitha pikat kufitare me synim parandalimin e veprimtarive të paligjshme, mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar dhe luftimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe formave të tjera të kriminalitetit financiar. /Zëri