Aktakuzë ndaj gjashtë personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, katër prej tyre zyrtarë komunalë dhe dy pronarë të operatorëve ekonomikë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit me inicialet D.M., A.K., E.SH. dhe I.H. akuzohen për veprën penale "Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar", ndërsa XH.K. dhe A.S. për "Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik".
Sipas aktakuzës, D.M. dhe A.K., në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe mbikëqyrësit të tij, kanë vepruar në kundërshtim me Rregulloren për Prokurim Publik gjatë zbatimit të kontratës për ndërtimin e rrugëve lokale "Fejzë Koliqi – Gashi", "Smajl Sadria" dhe "Isuf Meta" në fshatin Javor.
Prokuroria pretendon se ata kanë miratuar realizimin e punimeve dhe kanë lejuar pagesa në vlerë prej 29,458.20 euro, ndonëse kontrata nuk ishte zbatuar plotësisht, pasi rruga "Fejzë Koliqi – Gashi" nuk ishte ndërtuar fare. Me këto veprime, sipas aktakuzës, operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm prej 9.050 eurove, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material.
Në një rast tjetër, E.SH. dhe I.H. akuzohen se, në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe mbikëqyrësit të tij, kanë miratuar realizimin e punimeve dhe pagesa në vlerë prej 17,124.10 euro për projektet e ndërtimit të rrugëve "Hafir Gashi", "25 Gushti" në fshatin Javor dhe "Osman Dalipi" në fshatin Luzhnicë, edhe pse dy prej rrugëve nuk ishin ndërtuar fare.
Sipas Prokurorisë, me këtë veprim operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm prej 6.439.82 eurove, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material.
Ndërkaq, XH.K. dhe A.S., si persona përgjegjës të operatorëve ekonomikë kontraktues, akuzohen se nuk kanë realizuar të gjitha punimet e parapara në kontratat e prokurimit publik, por kanë paraqitur dokumentacion sikur ato ishin përfunduar, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme mjete publike dhe duke dëmtuar buxhetin komunal.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Gjithashtu, është kërkuar që ndaj tyre të shqiptohet edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në shërbimin publik. /Zëri