Një muaj paraburgim për nëntë të dyshuarit për mashtrim me derivate
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj nëntë të pandehurve, të dyshuar për disa vepra të rënda penale, përfshirë shpëlarje parash, kontrabandim mallrash dhe pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar.
Sipas njoftimit të gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar ndaj të pandehurve me inicialet F.M., F.M., S.K., N.B., D.M., A.M., M.M., N.M. dhe G.Q., pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Të dyshuarit ngarkohen me veprat penale "Shpëlarja e parave", "Kontrabandimi i mallrave" në bashkëkryerje, "Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar", "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve", si dhe "Falsifikimi i parasë".
Gjykata bëri të ditur se, pas shqyrtimit të kërkesës në seancë dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar atë dhe ka vlerësuar se paraburgimi është masa e duhur në këtë fazë të procedurës.
Sipas arsyetimit të gjykatës, ekziston rrezik real që, nëse të pandehurit lihen në liri, ata mund të arratisen për t'iu shmangur përgjegjësisë penale dhe të pengojnë zhvillimin normal të procedurës.
Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që të pandehurit të vazhdojnë komunikimet dhe bashkëpunimin mes tyre, duke mundësuar vazhdimin e aktivitetit kriminal ose kryerjen e veprave të tjera penale.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Zëri