Ndalohet i mituri, i dyshuar për sulmin me thikë ndaj dy personave në Ferizaj

Ndalohet i mituri, i dyshuar për sulmin me thikë ndaj dy personave në Ferizaj

Kronika July 10, 2026 - 12:04

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se është ndaluar për 24 orë një i mitur, i dyshuar për sulmin me thikë ndaj dy personave, i cili ndodhi mëngjesin e së premtes në qendër të Ferizajt.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari po hetohet për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Vrasja në tentativë”, transmeton Zeri.info.

Rasti ka ndodhur sot rreth orës 07:53 në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, pranë Postës Qendrore në Ferizaj, ku, sipas informatave fillestare, i mituri dyshohet se ka sulmuar me mjet të mprehtë (thikë) dy persona.

Pas incidentit, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por pas veprimeve hetimore të Policisë është lokalizuar dhe arrestuar.

“Me vendim të prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 24 orësh, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale ‘Sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Vrasja në tentativë’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj bëri të ditur se do të vazhdojë me procedurat dhe veprimet e nevojshme ligjore ndaj të dyshuarit. /Zëri