Policia arrestoi edhe nënën e të miturit që sulmoi qytetarët dhe policët në Ferizaj, i hodhi edhe vetes benzinë
Policia e Kosovës ka arrestuar të miturin e dyshuar për sulmin me thikë ndaj dy qytetarëve në qendër të Ferizajt, i cili gjatë ndërhyrjes policore plagosi edhe një zyrtar policor në qafë dhe sulmoi efektivët me gurë e mjete të forta.
Sipas Policisë, rasti është raportuar të premten rreth orës 07:50, kur një person po sulmonte qytetarët me një mjet të mprehtë në sheshin e qytetit.
Në vendin e ngjarjes, policia ka konstatuar se një person kishte pësuar lëndime nga goditjet me thikë, ndërsa një qytetar tjetër ishte lënduar gjatë përpjekjes për t’u larguar nga i dyshuari. Pas sulmit, autori ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas veprimeve intensive hetimore, hetuesit rajonalë, të mbështetur nga njësitë e tjera policore, e lokalizuan të dyshuarin fillimisht në banesën e tij dhe më pas në një adresë në fshatin Greme.
Sipas Policisë, me të mbërritur në vendngjarje, i dyshuari refuzoi t’u bindej urdhrave të zyrtarëve policorë.
“Ai mbante një thikë në dorë, sulmoi zyrtarët policorë me gurë dhe mjete të forta, si dhe u vërsul ndaj tyre me thikë”, thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se gjatë ndërhyrjes nëna e të dyshuarit pengoi zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare.
Në një moment, i dyshuari mori një shishe me benzinë dhe e hodhi mbi trupin e tij, duke vazhduar t’i kërcënonte policët me thikë dhe duke mos lejuar afrimin e tyre.
Gjatë përpjekjeve për ta vënë nën kontroll, tre zyrtarë policorë pësuan lëndime, ndërsa njëri prej tyre u godit me thikë në pjesën e qafës.
Pas ndërhyrjes, policia arrestoi të dyshuarin me inicialet P.GJ. (16 vjeç), si dhe nënën e tij D.GJ. (47 vjeçe).
Gjithashtu është sekuestruar thika që dyshohet se është përdorur në sulmin ndaj qytetarëve.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i mituri është ndaluar për 24 orë nën dyshimin për veprat penale "Vrasje në tentativë", "Sulm ndaj personit zyrtar" dhe "Vjedhje", ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim. /Zëri