Prokuroria ngre aktakuzë ndaj gjashtë personave për krim të organizuar, dyshohen se planifikuan vrasje të rëndë
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj gjashtë personave, të cilët dyshohen për përfshirje në një grup kriminal të organizuar që kishte planifikuar kryerjen e një vrasjeje të rëndë dhe sulme ndaj bizneseve.
Sipas njoftimit, aktakuza është ngritur ndaj të pandehurve me inicialet A.H., D.R., D.M., F.Q., Sh.K. dhe R.B., të cilët akuzohen për veprat penale:
Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar;
- Veprimet përgatitore për vrasjen e rëndë;
- Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve;
- Falsifikimi i dokumenteve; dhe
- Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës dhjetor 2024 – shkurt 2025, të akuzuarit, duke vepruar si grup kriminal i organizuar, kanë planifikuar dhe ndërmarrë veprime për kryerjen e vrasjes së rëndë të një personi.
Po ashtu, ata dyshohet se kishin planifikuar sulme me armë zjarri dhe mjete shpërthyese ndaj bizneseve të lidhura me të dëmtuarit, me qëllim të shkaktimit të dëmit material, frikësimit të viktimave dhe demonstrimit të fuqisë së grupit kriminal.
Prokuroria Speciale bën të ditur se secili nga të akuzuarit kishte rol të caktuar në realizimin e planit kriminal, i cili, sipas saj, u parandalua falë veprimeve hetimore të organeve të rendit.
Në fund të njoftimit, Prokuroria Speciale ritheksoi përkushtimin e saj për luftimin e krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të personave të dyshuar për kryerjen e veprave të rënda penale. /Zëri