Merr flakë kondicioneri në një banesë në Prishtinë, intervenojnë zjarrfikësit
Një zjarr i vogël ka shpërthyer mbrëmjen e së dielës në Prishtinë, duke bërë që në vendin e ngjarjes të dalin menjëherë ekipet e zjarrfikësve.
Zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Abdusamed Shkodra, për Klankosova.tv ka bërë të ditur se bëhej fjalë për një zjarr fillestar në një kondicioner.
Sipas tij, ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe kanë arritur ta lokalizojnë situatën në kohë.
Ka qenë një zjarr fillestar në një kondicioner. Sapo jemi informuar, ekipet tona kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe kanë intervenuar”, ka deklaruar Shkodra.
Ai ka konfirmuar se nga ky incident nuk ka persona të lënduar, ndërsa falë reagimit të shpejtë të zjarrfikësve është parandaluar përhapja e zjarrit dhe shkaktimi i dëmeve më të mëdha.