Festat me krisma armësh - policia sekuestron municione në Pejë, Klinë e Deçan

Festat me krisma armësh - policia sekuestron municione në Pejë, Klinë e Deçan

Kronika August 03, 2026 - 11:42

Policia e Kosovës në rajonin e Pejës, gjatë vikendit, ka sekuestruar disa armë nga qytetarët që kanë shtënë nëpër ahengje familjare.

Në rastin e parë në Pejë zyrtarët policorë kanë dalë në terren pasi kanë pranuar informatën se më 31 korrik në një aheng ka pasur të shtëna armësh.

Sipas njoftimit, në vendngjarje ka sekuestruar një armë zjarri dhe një karikator, derisa i dyshuari pas arrestimit është liruar në procedurë të rregullt.

Gjithashtu në Pejë, më 2 gusht, policia ka ndaluar veturën, në të cilën është gjetur se një person i dyshuar ka poseduar një armë, një karikator dhe gjashtë fishekë.

Pas arrestimit, ai është liruar në procedurë të rregullt.

Kurse, në Klinë më 1 gusht, policia ka njoftuar se ka pranuar informatën për të shtëna armësh në një aheng në fshatin Rudicë.

“Policia ka dalë në vendngjarje dhe tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar: një armë Ak-47 dhe një karikator, një armë kal. 9 mm dhe një karikator, një armë TT kal. 7.62 mm me një karikator, gjashtë copë fishekë 9 mm, dymbëdhjetë gëzhoja të kalibrave të ndryshëm”, thuhet në njoftim.

I dyshuari pas arrestimit është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, në Deçan më 1 gusht, policia është njoftuar se në fshatin Isniq ka të shtëna me armë zjarri në një aheng, me ç’rast te një i dyshuar janë gjetur dhe sekuestruar një armë CZP kal. 9 mm, një karikator dhe pesë gëzhoja.

Po ashtu, në ditën e njëjtë, në të njëjtin fshat, në një veturë policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë, një karikator, pesëdhjetë fishekë, dhe një mjet i mprehtë (brisk).

I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit nga hetuesit me urdhër të Prokurorit të Shtetit është liruar në procedurë të rregullt.