Sekuestrohen AK-47, pistoletë dhe 181 fishekë gjatë kontrollit në Ferizaj
Policia e Kosovës ka sekuestruar një pushkë automatike AK-47, një pistoletë dhe gjithsej 181 fishekë gjatë kontrollit të një shtëpie në fshatin Manastirc të Ferizajt.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, njësiti i hetimeve i Stacionit Policor në Ferizaj, më 13 gusht 2026, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit F.H., 35 vjeç, transmeton Zeri.info.
Gjatë kontrollit, në garazhin që ndodhej në oborrin e të dyshuarit, konkretisht në bagazhin e një automjeti BMW në pronësi të tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike AK-47, tre karikatorë me 139 fishekë, një pistoletë dhe dy karikatorë me 42 fishekë.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Pas përfundimit të intervistimit, me vendim të prokurorit, F.H. është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar. /Zëri
