Lirohen katër të dyshuarit për krim të organizuar me narkotikë
Foto: Laura Hasani

Lirohen katër të dyshuarit për krim të organizuar me narkotikë

Kronika August 19, 2026 - 10:59

Gjykata Supreme ka marrë vendim, me të cilin ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të dyshuarve, Afrim Derjani, Mirlind Bislimi, Sahit Shabani dhe Mufail Shabani, të cilët dyshohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Blerja, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Shpëlarja e parave”. Katër të pandehurit u liruan për t’u mbrojtur në liri, me arsyetimin se Prokuroria nuk e respektoi afatin për parashtrimin e kërkesës për vazhdimin e masës së paraburgimit.

“Me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të Afrim Derjani, Mirilind Bislimi, Sahit Shabani dhe Mufail Shabani, ndryshohet aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special i datës 21.07.2026, ashtu që ndaj të pandehurve, sot me datë 06.08.2026, ndëpritet paraburgimi dhe të njëjtit lëshohen për t’u mbrojtur në liri”, thuhet në vendimin e Supremes të marrë më 6 gusht 2026.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendim kishte hedhur si të pasafatshme kërkesën e Prokurorisë Speciale të datës 8 korrik 2026, të pranuar në Gjykatë më 13 korrik 2026 për vazhdimin e paraburgimit ndaj katër të pandehurve, duke konstatuar se kërkesa u dorëzua në ditën e skadimit të masës së paraburgimit. Më pas, Gjykata e Apelit më 21 korrik 2026 kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale, duke ndryshuar aktvendimin e Themelores dhe ua vazhdoi të pandehurve masën e paraburgimit edhe për nga dy muaj.

Kundër vendimit të Apelit, kishin ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme, mbrojtësit e të pandehurve Afrim Derjani, Mirlind Bislimi, Sahit Shabani dhe Mufail Shabani, avokatët Abit Asllani, Fitim Shabani, Avni Ibrahimi dhe Admir Salihu, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale, duke kërkuar nga Supremja, që aktvendimin e kundërshtuar ta anulojë, ashtu që të mbrojturve të tyre t’iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të lirohen menjëherë për t’u mbrojtur në liri.

Kurse, Prokurori i Shtetit përmes shkresave kishte propozuar të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Kolegji i Gjykatës Supreme me kryetar Burim Ademin dhe anëtarë Agim Maliqin dhe Mejreme Memajn, ka konstatuar se aktvendimi i Apelit është marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale nga neni 384, par. 2, nën. 2.1 dhe 2.2 të KPP-së, lidhur me Nenin 188, par. 1 dhe 2 të KPP-së.

Sipas Supremes, në rastin konkret, kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit i është dorëzuar në Gjykatës më 13 korrik 2026 ndërsa masa e paraburgimit që ishte vazhduar me aktvendimin e fundit skadonte në po këtë datë, çka do të thotë se kërkesa ishte parashtruar vetëm disa orë para skadimit të masës. Pra, prokurori kërkesën e kishte parashtruar në kundërshtim me kërkesën ligjore që rrjedhë afati i cili përcakton se “Prokurori i shtetit ia dorëzon gjykatës kërkesën për vazhdimin e paraburgimit jo më vonë se pesë (5) ditë para skadimit të paraburgimit të caktuar me aktvendimin e fundit”.

Lidhur me këtë, sipas Supremes, aktvendimi i Themelores për hedhjen e kërkesës ka qenë në funksion të zbatimit të drejtë të ligjit dhe respektimit të plotë të të drejtave të të pandehurve.

Tutje, në vendimin e Supremes thuhet se kjo Gjykatë nuk mund ta pranojë si të drejtë dhe të ligjshëm konkludimin e Apelit se mosrespektimi i afatit pesëditor nuk parasheh pasojë dhe mosrespektimi i tij nuk nënkupton hedhje të kërkesës, me arsyetimin se ky afat nuk është me karakter prekluziv, pasi që çështja duhet të trajtohet në atë mënyrë nëse mosrespektimi i afatit pesëditor nga prokurori, cenon garancitë procedurale që KPP-ja synon t’i mbrojë në raport me të pandehurin.

Ndër të tjerash, Supremja ka theksuar se thelbësore është paragrafi 2 i Nenit 188, i cili parasheh se “kërkesa i dërgohet mbrojtësit dhe të pandehurit, në afat jo më vonë se 3 ditë para skadimit të paraburgimit”, e që në rastin konkret të pandehurve i është mohuar e drejta për tu njohur me arsyet përse prokurori ka kërkuar edhe më tej zgjatjen e afatit të paraburgimit, e që rrjedhimisht i pamundësohet e drejta të pandehurve për të kundërshtuar ato arsye si të qëndrueshme apo jo.

Në fund, Supremja thotë se bazuar në arsyet e theksuara në këtë vendim dhe praktikën e GJEDNJ-së, për detyrimet që i vihen në barrë shtetit, për të garantuar parimin e barazisë dhe kontradikoritetit edhe në çështjen e caktimit apo zgjatjes së paraburgimit, vlerëson se çdo zgjatje e afatit të masës së paraburgimit pa u njoftuar i pandehuri dhe mbrojtësit me kërkesën siç parashihet me Nenin 188, par. 2, do të përbënte shkelje të dispozitave procedurale, cenim ky që do shtrinte efektin edhe më të gjerë të mohimit të të drejtave ndaj të pandehurit. /BetimipërDrejtësi