Tragjedia në Malishevë, Policia: Çifti u gjet i plagosur në dhomën e gjumit
Një grua ka humbur jetën dhe bashkëshorti i saj është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur të dielën, më 23 gusht, rreth orës 23:20, kur Policia është njoftuar për një plagosje me armë zjarri.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi kanë gjetur dy persona, një çift bashkëshortor të plagosur nga arma e zjarrit. Të dyshuarve u është ofruar ndihma e parë mjekësore, ndërsa më pas janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.
Rreth orës 01:10,Policia është njoftuar nga QKUK-ja se viktima femër, e moshës madhore, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i Shtetit, me vendimin e të cilit rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.
Ndërkohë, hetimet lidhur me rrethanat e rastit janë duke vazhduar.