Gjatë 24 orëve, pesë raste të dhunës në familje në Kosovë

Gjatë 24 orëve, pesë raste të dhunës në familje në Kosovë

Kronika October 02, 2026 - 10:31

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në disa komuna të Kosovës, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Rastet janë raportuar në Prishtinë, Klinë, Gjakovë, Vushtrri dhe Skenderaj, ndërsa në disa prej tyre të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në Prishtinë, më 1 tetor, rreth orës 06:15, Policia ka arrestuar një person të dyshuar për dhunë në familje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi dyshohet se ka sulmuar viktimat kosovare”, thuhet në raportin policor.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në Repartin e Psikiatrisë.

Në Klinë, po ashtu më 1 tetor, rreth orës 20:30, një grua ka raportuar në Polici se një burrë ka kryer veprën e dhunës në familje ndaj saj.

I dyshuari është arrestuar, ndërsa gjatë procedurave policore i është bërë edhe testi i alkoolit.

“Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje. Rasti po hetohet nga ekipet relevante policore”, thuhet në raport.

Sipas Policisë, testi ka rezultuar pozitiv dhe i dyshuari ka qenë nën ndikim të alkoolit me 0.69 promilë.

Edhe në Gjakovë është raportuar një rast i dhunës në familje. Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 30 shtator, rreth orës 21:00, ndërsa më 1 tetor ankuesja ka njoftuar Policinë se i dyshuari kishte kryer veprën ndaj saj.

I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Vushtrri, një grua ka njoftuar Policinë se një burrë ka kryer dhunë në familje ndaj saj.

“Palët janë sjellë në stacion dhe pas intervistimit në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, në Skenderaj, një rast i dhunës në familje ishte raportuar më 24 shtator, rreth orës 16:00.

Ankuesja ka raportuar se i dyshuari kishte kryer veprën ndaj saj, ndërsa sipas Policisë, lidhur me rastin po zhvillohen hetime nga njësiti për dhunë në familje.

“Personi i dyshuar në kërkim policor”, thuhet në raport.

Rastet janë duke u trajtuar nga njësitet përkatëse policore dhe organet e drejtësisë, në varësi të rrethanave të secilit rast.