Sulmoi gazetarin gjatë protestës, ndalohet për 48 orë i dyshuari L.G.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin L.G., për sulm gjatë protestave, gjegjësisht për sulm ndaj gazetarit Jeton Sopa.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kaltrina Shala, ka bërë të ditur për Telegrafin se prokurori i çështjes po ndërmerr të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se në bazë të urdhrit të prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person me inicialet L.G., në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin e kryerjes se veprës penale ‘Sulmi’, nga Neni 184 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Lidhur me këtë rast, prokurori i çështjes po ndërmerr të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Rasti ka të bëjë me sulmin ndaj gazetarit Jeton Sopa gjatë mbulimit të protestës para Qeverisë.