Ndalet për 48 orë një person, pas vdekjes së punëtorit në vendin e punës

Ndalet për 48 orë një person, pas vdekjes së punëtorit në vendin e punës

Kronika October 13, 2026 - 10:24

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet B.T., nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 13 tetor, në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj, ku një person që po kryente punime në një objekt ndërtimi dyshohet se ka rënë nga lartësia dhe ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, transmeton Zeri.info.

Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar i Qendrës Emergjente në Ferizaj, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Prokurori i shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka udhëzuar Policinë dhe Inspektoratin e Punës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarit do të vazhdojë me procedurat e mëtejshme ligjore brenda afateve të përcaktuara me ligj. /Zëri