Arrestohet një person në Fushë-Kosovë pas kërcënimit me mjet shpërthyes

Arrestohet një person në Fushë-Kosovë pas kërcënimit me mjet shpërthyes

Kronika October 13, 2026 - 20:29

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të përkatësisë etnike serbe në rrugën “28 Nëntori” në Fushë Kosovë, pasi dyshohet se kishte kërcënuar se do të aktivizonte një mjet shpërthyes brenda banesës së tij, në objektet e njohura si “Banesat e Bardha”.

RTK-ja raporton se arrestimi ka ndodhur pas rreth tri orësh, gjatë të cilave në vendngjarje kanë qëndruar njësitë e Policisë së Kosovës, ekipet e zjarrfikësve dhe ato të emergjencës mjekësore.

Ngjarja ka ndodhur në objektet e vjetra banesore që ndodhen pranë Qendrës së Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, ku jetojnë banorë shqiptarë, serbë dhe të komuniteteve të tjera.

Pas arrestimit të të dyshuarit, ekipet e specializuara për deminim kanë qëndruar në vendngjarje, ndërsa hetimet kanë vazhduar brenda banesës së tij.

Sipas RTK-së, banorët janë ndier më të lehtësuar pas arrestimit të personit të dyshuar, por kanë vazhduar të qëndrojnë jashtë objektit banesor.