I caktohet masa zyrtarit të Kryeqytetit, i dyshuar për zbulim të fshehtësisë për prona
Foto: Laura Hasani

I caktohet masa zyrtarit të Kryeqytetit, i dyshuar për zbulim të fshehtësisë për prona

Kronika October 14, 2026 - 17:50

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit N.A., i dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, zbulim të fshehtësisë zyrtare dhe marrje ryshfeti.

Në vend të paraburgimit, gjykata i ka caktuar të pandehurit masën e ndalimit për t’iu afruar vendeve apo personave të caktuar, si dhe masën e paraqitjes në stacionin policor, për një periudhë njëmujore, nga 13 tetori deri më 13 nëntor 2026.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, N.A. është obliguar që të mos u afrohet në distancë prej 200 metrash Komunës së Prishtinës, përkatësisht vendit të tij të punës, si dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK).

Gjykata ka bërë të ditur se mosrespektimi i masave të shqiptuara mund të çojë në caktimin e masës së paraburgimit, transmeton Klankosova.tv.

Pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masat e shqiptuara janë të mjaftueshme për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.

Po ashtu, Policia e Kosovës është obliguar të verifikojë zbatimin e këtyre masave dhe, në rast të mosrespektimit të tyre, ta informojë gjyqtarin e procedurës paraprake.

Palët e pakënaqura me këtë vendim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.