Të kërkuar nga INTERPOL-i, ekstradohen në Kosovë një grua nga Gjermania dhe një burrë nga Zvicra
Foto: Laura Hasani

Të kërkuar nga INTERPOL-i, ekstradohen në Kosovë një grua nga Gjermania dhe një burrë nga Zvicra

Kronika October 14, 2026 - 13:34

Policia e Kosovës ka realizuar ekstradimin e dy shtetasve kosovarë të kërkuar me letër rreshtimi ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale. Njëri prej tyre është ekstraduar nga Gjermania, ndërsa tjetri nga Zvicra.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ekstradimet u realizuan më 13 dhe 14 tetor, në koordinim me Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, njësitet përkatëse të policisë dhe institucionet e drejtësisë.

Më 13 tetor, nga Gjermania u ekstradua një shtetase kosovare, e cila kërkohej për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Pas mbërritjes në Kosovë, ajo iu dorëzua njësive përkatëse policore në rajonin e Pejës për vazhdimin e procedurave ligjore.

Ndërkaq, sot nga Zvicra u ekstradua një shtetas kosovar, i kërkuar për veprën penale “grabitje”. Pas ekstradimit, ai iu dorëzua njësive përkatëse policore në rajonin e Gjilanit për procedurat e mëtejshme ligjore.

Të dy personat ishin arrestuar nga autoritetet e shteteve përkatëse, pasi ndaj tyre ishte lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it, me kërkesë të institucioneve të drejtësisë së Kosovës.

Policia e Kosovës bëri të ditur se ekstradimet u realizuan në bazë të legjislacionit në fuqi, falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të Gjermanisë dhe Zvicrës.