Dënohet me 10 vjet burgim Millorad Gjokoviq për krime lufte në rajonin e Pejës
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për krime lufte në Ozdrim dhe në fshatra përreth rajonit të Pejës, Millorad Gjokoviq, duke e dënuar me 10 vjet burgim.
Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga trupi gjykues me kryetare Donikë Shala-Abdyli dhe anëtarët Kushtrim Shyti e Vesel Ismaili, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësja Shala-Abdyli tha se Gjokoviqi shpallet fajtor për krime lufte dhe dënohet me 10 vjet burgim, në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
“Gjykata shpall këtë aktgjykim: Në emër të popullit, i akuzuari Milorad Gjokoviq shpallet fajtor, sepse në periudhën e luftës në Kosovë, më 7 maj 1999, në fshatin Ozdrim, Komuna e Pejës, i akuzuari, në cilësinë e policit rezervë, me persona të tjerë, i ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare. Gjykata, në bazë të dispozitave të Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë, të akuzuarin e dënon me 10 vjet burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e paraburgimit”, tha ajo.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohej se në vitet 1998–1999, në fshatin Ozdrim, Komuna e Pejës, dhe në fshatrat përreth rajonit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim, me rrugën regjionale Pejë–Mitrovicë, kishte hyrë ushtria e rregullt dhe, në fund, nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim, e cila kufizohet me fshatin Vitomiricë, kishin hyrë grupet paramilitare të përziera edhe me pjesëtarë të njësive speciale ushtarake. Ata filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile, me ç’rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptar: I.K., Sh.K., E.M., R.Sh., Z.Sh. dhe M.H., ndërsa tre civilë, të cilët u plagosën nga këto të shtëna: A.G., H.G. dhe M.G., fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pas u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civilë të nacionalitetit shqiptar: R.K., Z.K., A.K., A.K. dhe A.Sh., u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre, prandaj ende figurojnë si të zhdukur.
Me këtë, Gjokoviqi ngarkohej se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me Nenin 142, lidhur me Nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje “LP i RSFJ-së”), si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.