25 vjet burgim për të akuzuarin që me veturë goditi për vdekje një person në Viti
Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me 25 vjet burgim E. Sh., i akuzuar për “Vrasje të rëndë”, pasi me veturë goditi disa persona në sheshin “Bafti Haxhiu” në Viti, duke shkaktuar vdekjen e A. F. dhe lëndimin e katër personave të tjerë.
Sipas njoftimit të Gjykatës, ngjarja kishte ndodhur më 8 shtator 2025, rreth orës 20:29, në rrugën “Hasan Kabashi”, në afërsi të një ndërtese kolektive në Viti.
I akuzuari, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme me njërin nga të dëmtuarit, dy herë kishte shkuar me veturë deri afër tavolinës ku po qëndronin personat, pa i goditur. Herën e tretë, sipas aktgjykimit, ai kishte devijuar nga shiriti i djathtë në atë të majtë, kishte rritur shpejtësinë dhe ishte drejtuar me veturë drejt tyre, duke i goditur drejtpërdrejt.
Si pasojë, tre persona pësuan lëndime të lehta trupore, ndërsa një tjetër u lëndua rëndë. A. F. u dërgua në repartin e kujdesit intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë, por ndërroi jetë më 10 shtator 2025, si pasojë e plagëve të marra.
Trupi gjykues, pas shqyrtimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, e dënoi E. Sh. me 25 vjet burgim. Krahas këtij dënimi, atij iu shqiptua edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor.
Gjykata bëri të ditur se i akuzuari ishte në gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore në kohën e kryerjes së veprës penale. Për këtë arsye, në bazë të Nenit 41, paragrafi 3, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nuk mund t’i shqiptohej dënimi me burgim të përjetshëm.
Atij iu shqiptua edhe dënimi plotësues – "Marrja e lejes së vozitjes për pesë vjet". Ky dënim do të nisë të zbatohet kur aktgjykimi të marrë formën e prerë, ndërsa koha e kaluar në burg nuk do të llogaritet në kohëzgjatjen e tij.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që masa e paraburgimit ndaj të akuzuarit të vazhdohet deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga pranimi i tij në formë të shkruar.